Balli i Kombit - e përjavshme e partisë Balli Kombëtar

Lajmi i fundit

Ndahet nga jeta Profesor Abas Ermenji

Sot, më 10 mars 2003, në orën 6 të mengjesit, në një klinikë të Parisit, u nda nga jeta Profesor Abas Ermenji.

Abas Ermenji lindi në Ermenj të Skraparit më 12 dhjetor 1913. Studimet fillore i kreu në Berat, kurse studimet e mesme në gjimnazin e Shkodrës. Në vitet 1934-1938 kryen në Sorbonë, Paris, Fakultetin e Letërsisë me specializim Historinë.

Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe emërohet profesor në Liceun e Korçës ku jep mësim deri në muajin nëntor të vitit 1939. Arrestohet nga italianët si një nga organizatorët e rinisë korçare në manifestimet e 28 Nëntorit 1939 kundër pushtimit fashist dhe internohet në ishullin e Ventotenes, prej ku lirohet në vitin 1941.

Sapo kthehet në Shqipëri merr pjesë në organizimin e rezistencës së armatosur kundër pushtimit të huaj në zonën Skrapar-Berat dhe arrin ta mbajë Beratin të lirë prej italianëve. Ishte një nga organizatorët e Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit qendror të tij.

Pas fitores së revolucionit komunist në Shqipëri, detyrohet të largohet nga atdheu dhe të marrë rrugën e gjatë të mërgimit. Vendoset në Paris ku drejton Komitetin Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë", i cili ka lozur një rol të madh në përpjekjet për një Shqipëri të lirë nga diktatura komuniste si dhe për çlirimin e Kosovës nga shtypja dhe tirania e Serbisë.

Profesor Ermenji ka bashkëpunuar ngushtë me "Lidhjen Kosovare" për sensibilizimin e opinionit botëror në lidhje me çështjen e Kosovës.

Pas rikrijimit të Ballit Kombëtar në Shqipëri në vitin 1991, zgjidhet kryetar i kësaj partie dy herë radhazi në vitet 1994 dhe 1998. Gjatë kësaj periudhe, megjithë moshën e tij të madhe, ka dhënë një kontribut të madh në ngritjen e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve nëpërmjet një serie konferencash në të gjithë Shqipërinë.

Profesor Ermenji ka qenë një mbrojtës i flaktë i çështjes dhe kombësisë shqiptare, me artikuj të shumtë, të botuar tek "Flamuri", tek "Balli i Kombit", tek përmbledhja "Albania" etj. Por kryevepra e tij është studimi "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" - një apologji madhështore e kombësisë shqiptare.

Profesor Abas Ermenji e donte shumë Shqipërinë. Jetoi për Shqipërinë dhe vdiq me Shqipërinë në gojë. Dëshira e tij e madhe ishte ta shikonte edhe një herë të fundit, por gjendja e rënduar shëndetësore nuk ia lejoi këtë. Këshilla e Tij e fundit ishte që të jemi Shqiptarë të mirë.

Xhemil Meço


Nëno moj vajto merr malin
Vdekja ta përmbysi djalin
Që bashkë me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror

Nëno moj ç'është përpjekur
Gojëmjaltë e zemërhekur
Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur
Ky vigan Liberator

Se të deshte kur s'të deshnin
Se të qante kur të qeshnin
Se të veshte kur të zhveshnin
Nëno moj të ra dëshmor.
ARKIVI
HYMNI i BK
HISTORIA
DEKALOGU
DESHMORET
KOSOVA
SHQIPERIA
ETNIKE
RILINDASIT
QEVERISJE
RINIA BK
LIDHJE
REDAKSIA
ABONIMI
Për të marrë çdo javë gazetën "Balli i Kombit" nëpërmjet postës elektronike, dergoni nje e-mail në adresën e Abonimeve me subjektin: "abonim".

© "Balli i Kombit" - e përjavshme e Partisë Balli Kombëtar,
Tiranë 2000/2003