Më Këmbë Kush Qe Shqiptar
Më këmbë kush qe shqiptar,
u ngre vendi të luftojë,
formoi "Ballin Kombëtar"
Shqipërinë ta çlirojë.
U ngre më këmbë rinia,
në Vlorë aksionet filloi,
"është e jona Shqipëria"
zëri i kushtrimit gjëmoi.
Safet Butka shkoi në Korçë,
me flamurin kuqezi,
thirri gjithë patriotët,
të luftojnë për liri.
Skënder Muçua e Lepenica
besnikët e Skënderbeut,
muar armëtë në dorë,
t'i dalin për zot Atdheut.
Në brigjet e Lumit Bardhë
në Jugë të Shqipërisë,
luftojnë bujq e çobanë,
me tankset e Italisë.
Ç'u dogj Labëri e shkretë,
më çdo anë mori flakë,
s'mbeti kasolle e shtëpi,
dhe kudo po derdhet gjak.
Ndërsa lufta po vazhdonte,
dita-ditës me barbarë,
Enver Hoxha urdhëron:
"Luftë Ballit Kombëtar"
Komunizmi si vullkan,
mbyti gjithë Shqipërinë,
vret i vëllai vëllanë,
Enver Hoxha me Partinë.
Enver Hoxha ja filloi
me urdhër të Miladinit,
Ballin do ta masakrojë,
me metodat e Stalinit.
Mehmet Shehu, një barbar,
krimineli i pashpirt,
piu gjak në shqipëtarë,
ky qën në Spanjë u stërvit.
Buçet kënga partizane:
"se roja e kuqe ja mbrrin"
dhe Nexhmija, kjo madamë,
kërcente me Miladinë.
Enveristëtë luftuan,
nën urdhrat e Miladinit,
vëllezërit i masakruan,
për mustaqet e Stalinit.
Buzëqeshte Miladini,
kur Shqipëria digjej flakë,
gëzonte Mehmet katili,
kur mbyste vëndin në gjak.
Kosovën e përvëluan
kur vanë në brigjet matanë,
vranë, prenë e masakruan,
dhe peshqesh Titos ja lanë.
Vranë trimat kosovarë,
që luftonin për lirinë,
qesh o Mehmet Sheh barbar,
se e kënaqe Miladinë.
Vallë do të ketë nonjë penë,
të shkruaj drejt historinë,
për Mehmetin e për Enverë,
që shkatërruan Shqipërinë?
Shitën Kosovën Serbisë,
vunë telin në Qafë Marinë,
Na ndanë prej vëllazërisë
as të vemi, as të vimë.
Gjorm - Vlorë
|
Hymni i Rinisë Nacionaliste të "Ballit Kombëtar"
Erdhi koha djelm ku jeni,
n'kambë me u çu nën një vllazni,
erdhi koha pushkët rrëmbeni,
ja të vdesim, ja liri!
Thërret gjaku i vllazënve që shkon rrëke,
Zani i dëshmorëve që shkrihet n'dhe.
Për nj'at flamur që na la i pari,
myslymani pa dallim
me t'krishtenin janë betue
me i ra t'hujit me tërbim.
Thërret gjaku i vllazënve që shkon rrëke,
Zani i dëshmorëve që shkrihet n'dhe.
Për kët tokë që na la i pari,
jeta e kombit t'bahet fli
jasht i hueji jasht barbari
le ta gzojm nanën Shqipni.
S'jemi grekër, as bullgarë s'jemi
komunista as serbian,
n'ball Kombëtar me luftu kemi,
me ba dekën për vatan.
Thërret gjaku i vllazënve që shkon rrëke,
Zani i dëshmorëve që shkrihet n'dhe.
|
Ç'burra Rriti Labëria
Ç'burra rriti Labëria,
ushtar i kombit Skënder,
ç'u vrave nga tradhëtia,
të qan gjithë Shqipëria.
Mallkuar ata tradhëtarë,
që te gjermanët të dhanë
Ky qe Vizhdan Risilia
bashk me të dhe Isuf zia
ata që të vranë tyja
do t'i shajë historia
Këto vargje i kushtohen Skënder Muços
|
Babë i Dashur Ku Na Le
Babë i dashur ku na le,
fale jetën për Atdhe,
luftove e nder na dhe,
i gjallë armët nuk i dhe,
po bashkë me ato re.
Gjithë ne zi për tyj ranë,
djem e bija, fis e radhë,
miq e shokë atdhetarë,
gjithë Balli Kombëtarë
Fragment nga vajtimi i Sulote Hasan Hysos nga Velça e Vlorës, për atin e saj, Hasan Hyson, i cili ra heroikisht duke luftuar me partizanë në tetor të 1944-ës.
|
Një Djalë Seç u Urdhërua
Një djal seç u urdhërua,
në Gumenicë u dërgua,
Hysninë për të lajmëruar,
Hysni Allushit t'i thonë:
Kollona erdhi në Gjormë,
edhe lart nga malësia,
po zbret poshtë Halil Halia
po shtigjet janë të zëna,
dhe lufta filloi në Këmba.
Lum i Vlorës seç u mblodhë,
fshatin Gjorm seç e rrethojnë.
-Kush lufton atje mbi urë?
-Hysni Allushi trimburrë,
tek solli fuqitë armiku,
ku ish më i madh rreziku.
Mbi urë t'lumit Shushica,
lufton Hysni Lepenica.
Përmbi urë n'ato lëndina,
qëllon tanksi e autoblinda.
Po shqiptarët s'e lëshojnë,
mbi armikun po sulmojnë
dhe milicia në Gjorm
me shoshoq seç bisedojnë.
Po vesh më vesh fjala shkoi:
"Hysni Kapua tradhëtoi"
se parrullën e lëshoi:
-"Në Milenjë - thotë - kanë ardhë,
kollonat me italianë,
me top e me xhebehanë,
me tanks e me aeroplanë".
I thotë "Vangjos" mos luftojë,
po ta marrë çetën të shkojë,
se për ne lufta mbarojë,
se ne kaq kishim nevojë,
mjaft Stalini ta dëgjojë,
që partizanët luftojnë.
Ç'e pësoi i shkreti Gjorm,
se milicët po e shkretojnë,
plaçkisin e masakrojnë,
Vranë dhe Koculin në Vlorë,
deh u thaftë ajo dorë.
Kjo këngë pasqyron luftën e Lumit të Vlorës nën komandën e Hysni Lepenicës dhe çetës partizane nën udhëheqjen e Hysni Kapos kundër forcave italiane dhe milicisë shqiptare që udhëhiqej nga Halil Alia. Kjo luftë, po të kurorëzohej me sukses, do t'i shtonte influencën Ballit Kombëtar, sepse të gjitha forcat kundërshtare në këtë luftë ishin gati për t'u dorëzuar. Por tradhëtia e Hysni Kapos, i cili përhapi panikun se "forca të mëdha italiane me autoblinda dhe tanke kishin mbërritur nga Vlora dhe po grumbolloheshin në Milenjë, në" veri të Gjormit, bëri që forcat popullore pas dy ditë luftimi u tërhoqën. Luftimet u zhvilluan më 1-2 janar 1942. Në këtë luftë mbeti i vrarë edhe koloneli italian Klementi.
|
Jemi Djemt e Ballit
Jemi djemt e ballit,
përpara të shkojmë,
armiq e tradhëtarë,
ne t'i shkatërrojmë.
Me zhgabën në ballë,
me zëmër të gjallë,
si të parët tanë,
të vdesim dhe ne.
|
Ejani Vllazën t'Vem Zjarrin
Ejani vllazën t'i vem zjarrin,
serbit barbar qe sulmon pa pra,
me vëllezërit kosovarë,
do t'bashkohemi na.
Batalioni "Besnik Çano"
sulmon përmbi shkja.
Se Kosova asht e jona,
s'e lëshojmë aspak,
Mitat Frashëri na ka thanë,
do ta mbrojmë me gjak.
Shkodër
Vargje të cilat i këndonin të rinjtë ballistë të batalionit vullnetar "Besnik Çano" kur ishin rreshtuar në pozicionet për mbrojtjen e urës mbi lumin Lim të Plavë-Gucisë. Batalioni nacionalist "Besnik Çano", i cili shkoi në ndihmë të Kosovës nën flamurin kuq e zi, komandohej nga heroi nacionalist Seit Kazazi. Për mbrojtjen e urës mbi lumin Lim, batalioni "Besnik Çano" zhvilloi një luftë të pabarabartë kundër forcave serbo-malazeze. Forcat armike ishin të pajisura dhe me artileri. Beteja vazhdoi për gjithë ditën, kur forcat serbo-malazeze u detyruan të tërhiqeshin me turp përpara këtij batalioni heroik. Në këtë luftë bie dëshmor dhe i riu Hamit Troplini nga Tirana.
|
Hysni Kapo, Hysni Nuri
Hysni Kapo, Hysni nuri,
punën me inat e zuri,
zjarrin Gjormitë i vuri,
në Dukat kish zot hauri,
se s'ish koqefike muri,
se kish zot palohauri,
Qajnë gra e oficera,
na u dh... kalimera,
se Dukati trim për dera,
s'qënka si fshatrat e tjera
që të hanim desh e shqerra.
Bëhet fjalë për disfatën e turpshme që pësoi Brigada V-të dhe e I-rë kur sulmuan dy herë rresht fshatin e Dukatit.
|
Djem't e Dukatit Na u Vranë
Djem't e Dukatit na u vranë,
Dukat na u vranë djemtë,
ca këtu[1] e ca në çetë[2]
ca këtu, ca në Parti,
kallogra o Shyqyri[3]
dhe me Selonë të dy.
Thilpat Beqir Elmazi,
në Jazoj Muharremi,
në Jazoj Muharreminë,
i shkreti Musa Gjohilë,
bashkë me Salo Mëhillë,
lanë mandritë në brinjë,
zbërthyen këmborë e zilë.
Sh'të them për Murat Hazizë,
seç u vra si trim i mirë,
ç'i tha Myrtia[4]: "dale, primë
hith armët fashist i ndyrë"
-S'jam fashist, po i dukat,
as ti rus, po i tërbaç,
po i thonë taksirat
që vjen e të gjën më prak.
Po të dy derojt e mbyllë[5]
mbet Salija kallogrinjë.
[1] Disa në fshat të Dukatit që u vranë si nacionalistë në radhët e Ballit.
[2] Disa në radhët e Partisë komuniste, si partizanë vullnetarë.
[3] Shyqyri Nezha nga Dukati, nacionalist, u vra te xhamia e Dukatit nga forcat e Brigadës së I-rë, kur kjo brigadë sulmoi Dukatin.
[4] Partizan ngë Tërbaçi në rreshtat e Brigadës së V-të, vritet në sulmin që kjo brigadë i bëri Dukatit duke pësuar një disfatë të turpshme në këtë luftë vëllavrasëse.
[5] Bino dhe Selim Hasani, vëllezër nga fisi Fistaj i Dukatit. Binua qe i martuar, la një vajzë, ndërsa Selimi do të martohej atë javë. Në kohën kur Dukati u sulmua nga partizanët të dy vëllezërit u gjendën të sëmurë nga ethet. Kur hynë forcat partizane në shtëpinë e tyre i përshëndetën me parrullën e tyre "Vdekje Fashizmit", ata u përgjigjën: "Shqipëria e Shqiptarëve", parrullë kjo e Ballit Kombëtar. Mehmet Jahua, që komandonte partizanët e atij njësiti, urdhëron që t'i lidhin dhe t'i marrin me vete. E ëma e djemve i ndjek nga prapa dhe u lutet të lironin atë më të voglin që do të martohej atë javë. "Do t'ua kthejmë prapë - u thonë kriminelët - Mos ki merak." Këta u çuan në Sotiran dhe u pushkatuan te Çipini nga Mehmet Jahua e Delo Balili, ky i fundit i plagosur në prapanicë në atë luftë.
|
vazhdon...
(faqe ne ndërtim)
|